Përdorimi i Kaskës Mbrojtëse për Përdoruesit e Mjeteve me dy Rrota

Parakalimi

Substancat Narkotike ose Psikotrope

Telefoni

Distanca e Sigurisë midis Mjeteve

Tejkalimi i Limitit të Shpejtësisë

Alkool

Rripi i Sigurisë

Fakte

Në vendet Evropiane, dëmtimet në kokë përbëjnë rreth 75% të vdekjeve të përdoruesve të motoçikletave ose biçikletave. Në vende me të ardhura më të ulëta, ky numër mund të shkojë deri në 88%.

 

Dëmtimet në kokë të cilat nuk rezultojnë në vdekje, mund të kenë gjithsesi impakte afatgjata.

 

Mbajtja e një kaske mbrojtëse mund të uli rrezikun e vdekjeve me 40% dhe lëndimet e mëdha me 70% në rast aksidenti.

Çfarë thotë ligji
  • Cilido, që shkel dispozitat e nenit 169 të ligjit nr. 8378, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë. Kur shkeljen e kryen një pasagjer në moshë jomadhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit.
  • Kur shkelja kryhet nga një drejtues mjeti në moshë jo madhore, në vend të masës administrative me gjobë, zbatohet bllokimi administrativ i mjetit për 30 ditë.
  • Drejtuesi i motomjeteve është i detyruar të bëhet i dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës duke mbajtur një jelek fosforeshent. Kushdo që nuk zbaton këtë detyrim ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
Fakte

Çdo vit në Shqipëri ndodhin rreth 86 aksidente rrugore për shkak të parakalimeve të gabuara.

 

Parakalimi është një nga manovrat me rrezikun më të lartë si për drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe për drejtuesit e motoçikletave, sepse mund ta vendosë mjetin parakalues në rrugën e trafikut përballë, shpesh me shpejtësi të lartë. Nëse aksidenti ndodh ballë për ballë, rreziku është më i lartë për të patur pasoja fatale.

Çfarë thotë ligji
  • Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e nenit 146 të ligjit nr. 8378, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
  • Kushdo që nuk zbaton ndalimet e parakalimit, sipas nenit 146 të ligjit nr. 8378, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në dhjetë mijë lekë. Kushdo që konstatohet me këtë shkelje dy herë brenda të njëjtit vit, ndëshkohet me dyfishin e masës së parashikuar dhe i pezullohet leja e drejtimit për një muaj.
  • Në rast të verifikimit të një aksidenti me dëme materiale, ku është identifikuar si shkelje parakalimi i gabuar, drejtuesi i mjetit fajtor për këtë shkelje ndëshkohet, përveç masës administrative me gjobë sipas nenit 146 të ligjit nr. 8378, edhe me heqjen e pikëve sipas përcaktimeve legjislacionit të fushës në fuqi.
Fakte
  • Drejtimi i mjetit nën efektin e substancave narkotike ose psikotrope është po aq e rrezikshme sa drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.
  • Efektet e këtyre substancave ndryshojnë në varësi të mënyrës se si ato veprojnë në tru: Marijuana ngadalëson kohën e reagimit, përkeqëson gjykimin mbi kohën dhe distancën, si dhe ul koordinimin. Drejtuesit që kanë përdorur kokainë ose metamfetaminë, mund të jenë agresivë dhe të pamatur gjatë drejtimit të mjetit. Disa lloje ilaçesh pa recetë, përfshirë benzodiazepinat dhe opioidet, mund të shkaktojnë përgjumje, marramendje dhe dëmtim të funksionit konjitiv (të menduarit dhe gjykimin).
  • Të gjitha këto efekte mund të çojnë në aksidente fatale.
Çfarë thotë ligji
  • Në Shqipëri, në rast aksidenti apo kur dyshohet se drejtuesi i mjetit po drejton mjetin nën ndikimin e substancave narkotike ose psikotrope, organet e policisë rrugore mund të vijojnë me shoqërimin e menjëhershëm të drejtuesit për verifikimet e rastit.
  • Ndaj përdoruesve të substancave narkotike ose psikotrope zbatohen sanksionet e më poshtme: Gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Pezullimi i lejes së drejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit. Pezullimi i lejes së drejtimit nga një vit deri në dy vjet, kur drejtuesi e përsërit shkeljen brenda një viti. Kur nga testet klinike rezulton se, nga përdorimi i substancave narkotike ose psikotrope, drejtuesi i mjetit ka humbur aftësitë për drejtimin e mjetit, atij i anulohet leja e drejtimit deri sa nga testet klinike të rezultojë se i ka rifituar këto aftësi dhe shkaku për pezullimin nuk ekziston më. Rimarrja e leje-drejtimit bëhet me provim.
Fakte

Drejtuesit që përdorin një aparat telefonik janë më të ngadaltë në reagimin ndaj rreziqeve.

 

Studimet tregojnë se mundësitë për t’u përfshirë në një aksident rrugor rriten 4 herë nëse përdorni telefonin. Koha e reagimit të një drejtuesi që përdor telefonin ndërsa drejton automjetin është dy deri në tre herë më e ulët se koha e reagimit të një drejtuesi të pirë.

 

Edhe drejtuesit më të kujdesshëm mund të shpërqendrohen nga një telefonatë apo një mesazh. Një mungesë vëmendje shumë e shkurtër mund të shkaktojë një aksident. Mos harroni se në 40 km/h, një makinë përshkon 11.5 metra në sekondë!

Çfarë thotë ligji
  • Është e jashtëligjshme të përdoret telefoni gjatë drejtimit të automjetit – përfshirë këtu edhe përdorimi i telefonit për të verifikuar rrugën në hartë, për të lexuar një mesazh apo për të kontrolluar rrjetet sociale.
  • Kjo vlen edhe nëse keni ndaluar në semafor apo gjendeni në trafik.
  • Bëjnë përjashtim aparaturat zanore që nuk kërkojnë përdorimin e duarve për funksionimin e tyre.
  • Shkelësit ndëshkohen me gjobë nga pesëqind deri në njëmijë e pesëqind lekë.
Fakte

Të qëndruarit shumë pranë është një nga gabimet më të mëdha që mund të bëjnë drejtuesit e mjetit. Kjo e fundit shkakton një pjesë të konsiderueshme të aksidenteve që ndodhin çdo ditë, kur të gjitha këto mund të jenë lehtësisht të parandalueshme.

Çfarë thotë ligji
  • Cilido, që shkel dispozitat e nenit 147 të ligjit nr. 8378, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
  • Kur si pasojë e mosrespektimit të dispozitave të këtij neni ndodh një përplasje me dëmtime të rënda për mjetin, ndëshkimi është me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Kur i njëjti subjekt, brenda dymbëdhjetë muajve kryen të paktën dy herë të njëjtën shkelje sipas kësaj pike, në shkeljen e fundit zbatohet masa plotësuese administrative me pezullimin e lejedrejtimit nga një deri në dy vjet.
  • Në qoftë se nga përplasja rezultojnë plagë të rënda të njerëzve, ndaj drejtuesit të mjetit zbatohen sanksionet penale për krimet e plagosjeve pa dashje ose të vrasjeve pa dashje.
  • Për të shmangur problematika të tilla, dhe për t’u mos bërë shkak aksidenti, duhet të ndjekim këto hapa/rregulla:
    1. Zgjedhim një pikë referimi
    2. Numërojme sa sekonda duhet për të arritur deri tek pika e referimit.
    3. Nëse na duhen të paktën 3 sekonda për të arritur atë pike, atëherë kemi një distancë të mjaftueshme me mjetin përpara nesh.
Fakte
  • Shpejtësia është një nga shkaktaret kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale.
  • 40-50% e drejtuesve të mjeteve e tejkalojnë limitin e shpejtësisë.
  • Një ulje me 5% e shpejtësisë mesatare mund të rezultojë me një ulje deri në 30% të numrit të aksidenteve fatale.
Çfarë thotë ligji
  • Për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e njerëzve, shpejtësia maksimale nuk mund të kalojë: 110 km/orë në autostradë, 90 km/orë në rrugët ndërurbane kryesore, 80 km/orë për rrugët ndërurbane dytësore, 40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara. Kufijtë maksimalë të shpejtësisë ndryshojnë edhe sipas llojit të mjetit.
  • Cilido që tejkalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë.
  • Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me gjobë nga dy mijë deri në gjashtë mijë lekë.
  • Cilido, që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë dhe pezullim i leje-drejtimit nga 1 deri në 3 muaj.
  • Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti i ri (që e zotëron leje-drejtimin prej më pak se 3 vjetësh), leja e drejtimit pezullohet nga 3 deri në 6 muaj.
Fakte

Nuk është e mundur të thuhet sa alkool mund të konsumoni përpara se të kaloni kufirin e lejuar nga ligji. Mënyra se si ndikoheni nga alkooli varet nga:

  • Pesha trupore, mosha, gjinia dhe metabolizmi juaj (shpejtësia me të cilën trupi shpenzon energjinë). Lloji dhe sasia e alkoolit që po konsumoni.
  • Çfarë keni ngrënë së fundmi.
  • Niveli i stresit.

 

Pra, nëse jeni në timon, më mirë të mos konsumoni pije alkoolike.

Çfarë thotë ligji
  • Ligji është shumë i rreptë ndaj drejtuesve të mjeteve që ngasin makinën nën ndikimin e pijeve alkoolike. Në Shqipëri, kufiri ligjor i alkoolit për drejtuesit është 0,2 gramë për litër (g/l).
  • Kur përqendrimi i alkoolit është 0,2-0,5 g/l (gram për litër), drejtuesi është nën ndikimin e alkoolit dhe i nënshtrohet sanksioneve si më poshtë:
    • Ndalim i vazhdimit të udhëtimit.
    • Gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë.
    • Pezullimi i lejes së drejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit.
    • Pezullimi i lejes së drejtimit nga një vit deri në dy vjet, kur drejtuesi e përsërit shkeljen brenda vitit të parë.
  • Kur përqendrimi i alkoolit është mbi 0,5 g/l, drejtuesi i mjetit konsiderohet i dehur dhe i nënshtrohet sanksioneve si më poshtë:
    • Ndalim i vazhdimit të udhëtimit.
    • Heqje e lejes së drejtimit.
    • Rimarrja e leje-drejtimit bëhet me provim.
  • Kur përqendrimi i alkoolit është mbi 1,5 g/l, përveç sanksioneve të mësipërme drejtuesi i mjetit duhet t’i nënshtrohet ekzaminimit mjekësor për varësi ndaj alkoolit. E drejta për të rimarrë leje-drejtimin nëpërmjet provimit fitohet vetëm nëse komisioni mjekësor vendor konfirmon se varësia ndaj alkoolit nuk ekziston më.
Fakte

Gjatë një aksidenti, mundësia për të humbur jetën është dy herë më e lartë nëse nuk vendosni rripin e sigurisë.

 

Drejtuesit dhe pasagjerët e moshës 17-34 vjeç kanë përqindjen më të ulët të përdorimit të rripit të sigurisë, kombinuar me përqindjen më të lart ë të aksidenteve.

 

Njerëzit janë më pak të prirë të vendosin rripin e sigurisë gjatë udhëtimeve të shkurtra apo në zhvendosjet në rrugë të njohura, gjë që i ekspozon ndaj një rreziku serioz për dëmtime të rënda në rast aksidenti.

Çfarë thotë ligji
  • Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët janë të detyruar të vendosin rripat e sigurisë (përfshirë këtu dhe pasagjerët në vendet e pasme, për mjetet e prodhuara nga 1 Maji i vitit 1990).
  • Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë (edhe pasagjerët), ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë.
  • Drejtuesi i mjetit, përveç gjobës, ndëshkohet edhe me pezullim të leje-drejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.